VLEN: FMN dhe Banka Botërore rrisin parashikimet, ekonomia është në rrugë të mirë

Ekonomia po ecën në drejtim të mirë. Këtë nuk e themi ne, por e konfirmojnë dy nga institucionet më të rëndësishme financiare ndërkombëtare – Fondi Monetar Ndërkombëtar dhe Banka Botërore.
Të dyja institucionet kanë rritur parashikimet për rritjen ekonomike të vendit për këtë vit. FMN nga 3.1 në 3.5 për qind, ndërsa Banka Botërore nga 2.9 në 3.2 për qind, theksojnë nga kjo parti.
"Në pak fjalë, të dy institucionet presin që ekonomia jonë të arrijë rezultate më të mira se sa ato të parashikuara më parë. Këto vlerësime na japin një shtysë shtesë për punë, veçanërisht në ekonomi, për të cilën kemi marrë përgjegjësinë e drejtimit.
Banka Botërore veçon investimet në infrastrukturë si një nga motorët kryesorë të rritjes ekonomike.
Sot në vend kemi një zgjerim infrastrukture.
Autostrada Shkup–Blacë është pritur me dekada. Përfundimi i saj nuk është më në diskutim. Si VLEN, do t'i vendosim PIKË kësaj pune. Kjo lidhje me Kosovën ka rëndësi të drejtpërdrejtë për qytetarët, tregtinë dhe kompanitë tona.
Në Korridorin 8, që për ne përfaqëson një projekt strategjik, po realizohen segmentet Tetovë–Gostivar, Gostivar–Bukojçan dhe Kërçovë–Ohër. Më 12 tetor vendosëm gurthemelin edhe për segmentin Bukojçan–Kërçovë.
Autostrada Bukojçan–Kërçovë përmbyll nyjën e rëndësishme në lidhjen e rajonit të Pollogut me Kërçovën dhe Ohërin, në korridorin që na lidh me Shqipërinë dhe portet e Detit Adriatik".
Këto projekte, siç vlerësojnë, duhet të shihen si një tërësi. Ato, sipas VLEN, forcojnë lidhjet me rajonin dhe hapin mundësi të reja për ekonominë tonë.
"Për një biznes, çdo orë e humbur në rrugë do të thotë kosto. Transporti më i shpejtë ul kostot, lehtëson furnizimin dhe qasjen në tregje të reja. Kështu krijohen kushtet që kompanitë të zgjerojnë prodhimin dhe të hapin vende të reja pune.
Prandaj, përfundimi i këtyre rrugëve mbetet një nga prioritetet tona kryesore në Qeveri.
Përveç investimeve, për qytetarët janë të rëndësishme edhe shpenzimet e përditshme. Edhe këtu kemi një ndryshim shumë të qartë.
Në maj 2024, gjatë qeverisjes së mëparshme, inflacioni ishte 4.5 për qind. Në shtator të këtij viti, me ne në Qeveri, ai ishte 2.7 për qind. Pra, ndryshimi është si dita me natën.
Kur bëhet fjalë për karburantet, ne jemi ndër vendet me çmimet më të ulëta në rajon. Benzina dhe nafta tek ne janë më të lira se në Kroaci, Slloveni, Serbi, Mal të Zi, Bosnjë e Hercegovinë, Shqipëri dhe Greqi.
Vetëm për krahasim, benzina 95 oktanë tek ne kushton 98.5 denarë për litër, ndërsa çmimi mesatar në këto vende është rreth 115 denarë. Kjo është një diferencë prej rreth 16 denarë për çdo litër. Në këtë mënyrë ulen shpenzimet e qytetarëve, bujqve dhe bizneseve".
Jemi të vetëdijshëm, theksojnë nga VLEN, se shumë familje ende përballen me vështirësi. Prandaj, siç paralajmërojnë, mbështetja për bizneset vendase dhe hapja e vendeve të reja të punës janë prioriteti i tyre kryesor.
"Qeveria e udhëhequr nga VLEN është në shërbim të njerëzve që jetojnë nga puna e tyre. Atyre u detyrohemi përkushtim dhe rezultate. Ky është rruga që kemi zgjedhur. Punë dhe vetëm punë".



