Kërkim për personin e zhdukur pranë Vardarit në Gostivar, aktivizohen ekipet e DZS-së

Drejtoria për mbrojtje dhe shpëtim (DZS) njoftoi se janë aktivizuar ekipe në terren për gjetjen e një personi të zhdukur, për të cilin ka indikacione se është parë pranë lumit Vardar në rajonin e Gostivarit, pas kërkesës zyrtare të Stacionit Policor (SP) Gostivar.
„Në terren, në vendin e ngjarjes, së bashku me ekipet është edhe zëvendësdrejtori i DZS-së, Kašmir Saliu.
Në aksionin e kërkimit dhe shpëtimit janë përfshirë konkretisht anëtarë të Ekipit për reagim të shpejtë (ERS) për shpëtim në ujë të DZS-së, me logjistikën përkatëse nga Njësia Rajonale e DZS-së – Gostivar.
Ekipet, së bashku me zëvendësdrejtorin, punojnë në koordinim të ngushtë me punonjësit policorë nga SPB Gostivar dhe shërbimet lokale, me qëllim gjetjen sa më të shpejtë të personit. Kërkimi po zhvillohet intensivisht përgjatë lumit Vardar, duke filluar nga pikat kritike në qytet deri në zonat poshtërrjedhës“, theksohet në informacion.
Megjithë kushtet aktuale në terren dhe specifikat e shtratit të lumit, ekipet e DZS-së, shtojnë nga aty, do të angazhohen derisa të përfundojë plotësisht operacioni.
DZS apelon tek qytetarët e Gostivarit dhe vendbanimeve përreth, nëse disponojnë me ndonjë informacion lidhur me personin e zhdukur ose vërejnë diçka përgjatë shtratit të lumit, të njoftojnë menjëherë në numrat e emergjencës në polici ose tek shërbimet kompetente për mbrojtje dhe shpëtim, si dhe në 112 të Qendrës për Menaxhim me Kriza (QMK).



