Mucunski pas takimit me ministres bullgare: Pozicionet mbeten dukshëm të largëta

Në margjinat e Konferencës Ndërkombëtare për Korridorin VIII, që u mbajt sot në Sofje, ministri i Punëve të Jashtme dhe Tregtisë së Jashtme, Timço Mucunski, zhvilloi një takim bilateral me ministres për Punë të Jashtme të Republikës së Bullgarisë, Velislava Petrova-Çamova.
Ministri Mucunski e vlerësoi takimin si konstruktiv dhe të mbajtur në një frymë pozitive, duke theksuar se pozicionet e të dyja palëve vazhdojnë të jenë dukshëm të largëta.
Lidhur me integrimin evropian, Mucunski theksoi se midis dy palëve ekziston një shkallë e lartë mosbesimi, i cili, nga perspektiva jonë, lidhet me parashikueshmërinë e procesit dhe me përvojën deri tani me kërkesat bilaterale.
„Pozicionet tona janë absolutisht të qarta. Interesi strategjik edhe i Bullgarisë është që ne të ecim përpara në rrugën evropiane. Por, ne jemi një vend që gjatë viteve është përballur vazhdimisht me kërkesa bilaterale. Kur është mbyllur një çështje bilaterale, pastaj hapet një tjetër“, theksoi Mucunski.
Në takim u diskutua edhe për vazhdimin e dialogut midis dy shteteve në periudhën që vjen, ku u konfirmua gatishmëria që komunikimi të vazhdojë pavarësisht nga dallimet ekzistuese në pozicione.
Ministri theksoi se çështjet që lidhen me identitetin, historinë dhe kulturën nuk duhet të përbëjnë pengesë në rrugën evropiane. Ai theksoi se pa dialog nuk mund të arrihet një zgjidhje, por edhe se vetë dialogu nuk është garanci për tejkalimin e dallimeve.



