(Video) LSDM akuzon për partizimin e Këshillit Gjyqësor dhe kërkon tërheqjen e kandidatëve të propozuar

LSDM sot akuzoi se kryeministri Kristian Mickoski po përpiqet të vendosë kontroll të plotë mbi drejtësinë përmes zgjedhjes së kuadrove të lidhura me partinë në Këshillin Gjyqësor. Në një konferencë për shtyp, anëtari i Bordit Ekzekutiv të LSDM-së, Jon Frçkoski, kërkoi tërheqjen e kandidatëve të propozuar Emilia Aleksovska dhe Xhoko Dikov.
"Mickoski po shtyn planin e tij për të zgjedhur gjyqtarë të rinj nga fletorja e tij. Këtë e bën tashmë dy vjet, dëshiron kontroll të plotë mbi drejtësinë. Banda kërkon shpëtim nga përgjegjësia për krimin, dhe atë në një sistem të kontrolluar gjyqësor dhe prokurorial", deklaroi Frçkoski.
Ai ngriti akuza për lidhje të dy kandidatëve për anëtarë të Këshillit Gjyqësor me partinë në pushtet VMRO-DPMNE.
Për Emilija Aleksovskën, Frçkoski pretendoi se ajo e ka mbështetur publikisht dhe ka lavdëruar Mickoskin në rrjetet sociale, duke përmendur postimin e saj: "Maqedonia me ju është e gjallë, përsëri jonë dhe krenare".
Lidhur me Xhoko Dikovin, Frçkoski pretendoi se ai ka fotografi me funksionarë të VMRO-DPMNE-së, përfshirë edhe nga festa e fitores zgjedhore të kryetarit të komunës së Novo Sello. Ai gjithashtu ngriti pretendimin se Dikov ka përfaqësuar kryetarin e komunës së Novo Sello në një konflikt me aktivistë ekologjikë dhe se kundër tij është ngritur padi penale për keqpërdorim të pozitës dhe autorizimeve zyrtare.
Frçkoski u ndal edhe te zgjedhja e mëparshme e Danka Ristovës si anëtare e Këshillit Gjyqësor, duke theksuar se ajo është bashkëshortja e Aco Ristovit, ish-kryetar i komunës së Radovishit nga VMRO-DPMNE, i cili më pas u zgjodh kryetar i Komisionit Rregullator për Energjitikë.
Sipas LSDM-së, këto vendime kadrovike janë pjesë e një procesi më të gjerë të partizimit të institucioneve dhe vendosjes së kontrollit mbi drejtësinë.
Frçkoski kritikoi edhe qëndrimin e pushtetit ndaj prokurorëve, si dhe gjendjen në drejtësi, duke iu referuar raporteve të Komisionit Evropian.
"Me bandën nuk ka drejtësi të pavarur. Ka një sistem kontrolli. Nuk ka drejtësi – përkundrazi, ka padrejtësi", tha Frçkoski.
LSDM kërkoi tërheqjen e kandidatëve të propozuar dhe zgjedhjen e anëtarëve profesionalë dhe të pavarur të Këshillit Gjyqësor, duke paralajmëruar se do të insistojë për përgjegjësi për, siç pretendon, keqpërdorimet në institucione.




