E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

(Video) Mickoski: Po ndërtojmë Maqedoninë, filloi ndërtimi i autostradës Bukojçani-Kërçovë

12.10.2026, 14:26

"Ajo që për mua paraqet shumë rëndësi është fakti se pa këtë seksion, gjithçka tjetër që bëjmë nuk do të kishte kuptim. Praktikisht, ky projekt i cili lidh Ohërin me kryeqytetin, me Shkupin ka kuptim, por ka kuptim edhe e gjithë ajo politikë për të cilën foli Aleksandër në fjalimin e tij, dhe kjo është politika e kësaj Qeverie kur u zgjodh në vitin 2024, për ta bërë vendin një kryqëzim që do të bazohet në katër shtylla", tha kryeministri Kristian Mickoski, në fillimin e ndërtimit të autostradës Bukojçani – Kërçovë.

YouTube · klikoni për të ngarkuar videon

"Atëherë filluam me tri shtylla, por me kalimin e kohës qëllimi ynë dhe sfida jonë u zgjeruan dhe sot flasim për katër shtylla, dhe ato janë: të jemi kryqëzim i dy korridoreve pan-evropiane – kjo është Korridori 8 dhe Korridori 10 në kuptimin e infrastrukturës rrugore, infrastrukturës hekurudhore, infrastrukturës energjetike dhe infrastrukturës së gazit.

Në këtë mënyrë, rëndësia gjeostrategjike e vendit bëhet diçka që paraqet një mundësi më të madhe për të gjithë qytetarët, por gjithashtu paraqet një kusht për zhvillimin e industrive moderne, dhe shteti fiton diçka më të madhe, vlerë të shtuar më të madhe kur bëhet fjalë për krahasimin me vitet e kaluara.

Unë jam vërtet krenar dhe i lumtur që jam pjesë e këtyre momenteve të rëndësishme për të ardhmen e vendit dhe gjeneratave që vijnë, sepse të gjitha projektet që janë pjesë e kësaj strategjie me katër shtylla mund të them se janë filluar, po ecin, disa tashmë po përfundojnë.

Unë tashmë pres shumë shpejt që nga sot një seksion i autostradës Kërçovë-Ohër të vihet në funksion, nga Izvor deri në Vrbjani, dhe po ashtu, siç tha edhe drejtori i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore Koçe Trajanovski, e gjithë kjo pjesë nga Kërçova deri në Ohër të jetë e gatshme më së voni në gjysmën e parë të vitit 2027.

Gjithashtu, vitin e ardhshëm pres të vihet në funksion edhe gazsjellësi që do ta lidhë vendin me fqinjën tonë jugore, janë filluar punimet për interkonektorin e gazit me fqinjën tonë veriore, po punohet në seksionet e autostradës dhe lidhjet që janë pjesë e Korridorit 8 dhe Korridorit 10D, pres që vitin e ardhshëm kilometrat e parë në korridorin 10D të vihen në funksion.

Kështu që po punohet në interkonektorin me tension të lartë që duhet të na lidhë me fqinjën tonë perëndimore, gjithçka që ka kuptim dhe bazohet në këtë strategji me katër shtylla është vënë në lëvizje, po punohet dhe ne si Qeveri vazhdojmë të mbetemi të fokusuar në të gjitha këto.

Indikatorët e parë në aspekt ekonomik po shfaqen, pas 27, 28 muajsh pune të palodhur, në kushte kur kishim një shtet të shkatërruar dhe në kushte kur përpara nesh po ndodh kriza më e madhe epike që njerëzimi e mban mend, ne si Qeveri po arrijmë të nxjerrim rezultate që na rendisin në vendet e para në Evropë", deklaroi kryeministri Kristian Mickoski.

Lajme të ngjashme