E mërkurë, 14 tetor 2026MarketingKontakt
Kërko

Nikolovski: U dakordua një linjë e re ajrore Podgoricë-Shkup dhe lidhja e portit Bar përmes ndërtimit të autostradës Shkup-Blacë

09.10.2026, 14:17

Zëvendëskryeministri i Qeverisë, Aleksandar Nikolovski është në një vizitë pune në Podgoricë, Mali i Zi, ku zhvilloi takime me kryeministrin Milojko Spajiq, zv/kryeministrin për çështje evropiane dhe të jashtme, Filip Ivanoviq, si dhe me ministrin e transportit, Radosh Zeçeviq.

"Maqedonia dhe Mali i Zi janë dy shtete mike që kanë bashkëpunim të mirë, të shkëlqyer.
Diskutuam për lidhjen. Ne tashmë kemi filluar ndërtimin e autostradës Shkup – Blacë, që do të thotë hapje e Maqedonisë drejt një porti të tretë – kjo është hapje drejt portit Bar, përveç portit të Selanikut ku kemi lidhje autostradale dhe hekurudhore dhe përveç portit të Durrësit, ku aktualisht po ndërtojmë lidhje autostradale dhe hekurudhore. Gjithashtu, me ndërtimin e autostradës nga Shkupi deri në Blacë flasim edhe për lidhjen me portin Bar", tha Nikolovski.

Sipas njoftimit, u diskutua edhe për lidhje ajrore, domethënë fluturim direkt midis Shkupit dhe Podgoricës. Kjo, siç vlerëson Nikolovski, do të ndihmojë shumë për zhvillimin e turizmit dhe zhvillimin e biznesit dhe lidhjen midis dy shteteve.

"Aeroportet në Shkup dhe në Podgoricë po rriten dhe kjo është një mënyrë e mirë për të vazhduar bashkëpunimin dhe për të vazhduar rritjen e të dyja aeroporteve.

Gjithashtu, biseduam për një paraqitje të përbashkët para fondeve evropiane dhe bankave evropiane në fushën e financimit, sidomos në fushën e sistemeve inteligjente të transportit dhe lidhjes së korridoreve, dhe biseduam edhe për bashkëpunimin midis dy shteteve në fushën e politikës dhe ekonomisë.

Gjithçka në tërësi, një takim frytdhënës nga i cili kthehemi në shtëpi me një linjë të re ajrore, si dhe me lajmin e mirë se autostrada që po ndërtojmë Shkup – Blacë do të nënkuptojë lidhje edhe me portin Bar" – deklaroi Nikolovski.

Lajme të ngjashme