Tomografi në Klinikën e Radiologjisë është vënë në përdorim, ai në Kirurgji ende po riparohet

Sot është vënë në funksion një nga tomografët kompjuterikë në Institutin Universitar të Radiologjisë – Shkup dhe është në dispozicion për kryerjen e ekzaminimeve diagnostike, njofton Ministria e Shëndetësisë.
"Me qëllim sigurimin në kohë të shërbimeve shëndetësore, Instituti ka filluar me thirrje të organizuara dhe caktim të termineve të reja për të gjithë pacientët të cilëve u janë shtyrë përkohësisht ekzaminimet për shkak të situatës së krijuar. Për këtë qëllim, është organizuar puna në dy turne, si dhe punë shtesë gjatë fundjavës së ardhshme, me qëllim që në kohën më të shkurtër të realizohen ekzaminimet, në përputhje me kapacitetet në dispozicion dhe prioritetet mjekësore të përcaktuara", thonë nga Ministria.
Lidhur me tomografin kompjuterik, i vendosur në kompleksin kirurgjik dhe i dedikuar kryesisht për përpunimin diagnostik të pacientëve urgjentë, procedura e servisimit është ende në proces dhe pritet të përfundojë së shpejti.
Ministria thotë se trajtimi i pacientëve urgjentë vazhdon sipas koordinimit dhe organizimit ndërinstitucional të vendosur për sigurimin e vazhdimësisë së shërbimeve diagnostike të nevojshme, domethënë pacientët urgjentë trajtohen në Spitalin Klinik Ushtarak "8 Shtatori" dhe Klinikën Kirurgjike "Shën Naum Ohri" në Shkup.
Autoritetet bëjnë apel që të mos përhapen informacione të pa verifikuara, me qëllim që të mos dëmtohet besimi në sistemin shëndetësor.
foto/Depositphotos/ilustrim



