Italia e akuzoi Gjermaninë për rritjen e çmimeve të gazit në Evropë

Gjermania e ka tradhtuar Evropën pasi ka vonuar shumë mbushjen e depozitave të gazit, deklaroi Alessandro Nocce, një funksionar i lartë në Ministrinë italiane të Energjisë. Sipas tij, Berlini ka kontribuar në rritjen e çmimeve të gazit duke u përpjekur të ulë kostot e kompanive shtetërore të energjisë para privatizimit të tyre, transmeton Reuters.
Çmimi i gazit për dorëzim në dhjetor sot në bursën holandeze TTF arriti në 103,43 euro për megavat-orë, që është niveli më i lartë që nga mesi i dhjetorit 2022. Krahasuar me dje, gazi është shtrenjtuar për 5,6 për qind.
Nocce, i cili foli në një konferencë energjetike në Milano, deklaroi se Italia ka shpenzuar 300 milionë euro për mbushjen e depozitave para dimrit, ndërsa Gjermania ka vonuar mbushjen për shkak të planeve për privatizimin e kompanive energjetike "Uniper" dhe "SEFE".
"Jemi goditur dyfish. Kemi paguar 300 milionë euro për mbushjen e depozitave, dhe tani paguajmë më shumë për gaz sepse gjermanët e blejnë atë", tha Nocce.
Sipas të dhënave të publikuara, depozitat gjermane janë mbushur 61,7 për qind, ato italiane pothuajse 91 për qind, ndërsa mesatarja në Bashkimin Evropian është rreth 75 për qind.
Ministria gjermane e Ekonomisë njoftoi se furnizimi me gaz gjatë dimrit është i sigurt dhe nuk pritet mungesë, megjithëse rezervat janë dukshëm nën objektivat ligjore për 1 nëntor.
Nocce paralajmëroi se nëse janari do të jetë i ftohtë, çmimi i gazit mund të arrijë nga 150 deri në 180 euro për megavat-orë.
"Gjithçka varet nga moti. Duhet të shpresojmë që janari të jetë i ngrohtë", tha ai.



