E premte, 6 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Janevska: BE-ja konstaton se po përparojmë mirë në arsimin dhe shkencën, vazhdojmë me reformat e parashikuara

Para dy e gjysmë vjetësh thashë se duhet të ndalojmë rënien e lirë të arsimit, sepse kjo ishte një situatë reale. Këtë e bëmë. Arsimi është një nga shtyllat e shtetit dhe prandaj është një përparim i rëndësishëm ai që shënon edhe Komisioni Evropian, tha ministrja e arsimit dhe shkencës Vesna Janevska në Panel-diskutimin „Raporti i Komisionit Evropian për 2026 – përparim dhe reforma“ që u mbajt sot në Qeveri.

Raporti evidenton rezultatet konkrete nga zbatimi i reformave dhe trendet pozitive zhvillimore në disa fusha të arsimit. Veçanërisht dallohen forcimi i rregulloreve dhe kuadrit strategjik, zgjerimi i rrjetit të qendrave rajonale për arsimin dhe trajnimin profesional, pjesëmarrja e shtuar e nxënësve në arsimin profesional, zgjerimi i bashkëpunimit me kompanitë, zhvillimi i sistemit të vlerësimit, përmirësimi i arsimit inkluziv dhe dixhitalizimi i procesit arsimor.

„Kemi sjellë dokumentet e nevojshme për të mundësuar zbatimin e zgjidhjeve ligjore që sigurojnë përparim. Do të filloj nga Strategjia për Arsimin 2026-2032 si dhe Strategjia dhe Plani i Veprimit për specializim të zgjuar, të cilat janë me rëndësi të jashtëzakonshme për zhvillimin e ekonomisë. Dhe, çka është e rëndësishme, shumë shpejt po i realizojmë hapat. Nga Plani i ri i Veprimit kemi arritur mbi 75 për qind të asaj që kemi parashikuar. Ligji për arsimin e të rriturve është gjithashtu shumë i rëndësishëm. Kemi ndërtuar një sistem për mësim të përjetshëm për të rritur, që i nevojitet vendit dhe tashmë Qendra për arsimin e të rriturve fillon të funksionojë në mënyrë optimale. Ajo që kemi pasur si vizion, po tregon se është funksionale“, theksoi Janevska.

Është evidentuar edhe suksesi i madh që po arrijmë në arsimin e mesëm profesional, në lidhje me përfshirjen e nxënësve, zhvillimin e qendrave rajonale dhe bashkëpunimin me punëdhënësit. Janevska sqaroi se mbi 70% e nxënësve në arsimin e mesëm regjistrohen në arsimin profesional, dhe prej tyre një e treta në klasa duale, ku mësimi në shkollë kombinohet me edukim praktik te punëdhënësi.

„Është e rëndësishme që numri i kompanive që bashkohen vazhdimisht rritet dhe tani kemi përfshirë mbi 1000 kompani. Janë funksionale 8 qendra rajonale për arsimin profesional dhe këtu kemi plotësim të numrit në krahasim me atë që është konstatuar në Raport“.

Lidhur me përparimin në inkluzion, Janevska tha se ka mbi 1600 asistentë arsimorë në arsimin fillor dhe për herë të parë, rreth 200 asistentë për fëmijët me nevoja të veçanta arsimore në arsimin e mesëm. Numri i ndërmjetësve romë po rritet vazhdimisht. Ka braktisje të shkollës, por më pak në krahasim me vitet e mëparshme, sepse punojmë në mënyrë të vazhdueshme me fëmijët dhe me prindërit, tha Janevska.

Janë dixhitalizuar shumë shërbime, shkollat pajisen me pajisje informatike dhe rrjetë.

„Nuk e neglizhojmë as inteligjencën artificiale. Mbi 700 mësues tashmë kanë kaluar trajnim që të mund ta përdorin në shkolla, dhe muajin e ardhshëm një grup i ri mësuesish do të shkojë në trajnim, për të arritur një kuantum të mësuesve që do të mund të përhapin njohuritë dhe të krijohet një rrjet për përdorimin e inteligjencës artificiale“, shtoi ministrja.

Komisioni Evropian vëren progres të mirë në fushën e shkencës, veçanërisht me themelimin dhe vendosjen në funksion të Agjencisë për inovacion, zhvillim shkencor-teknologjik dhe sipërmarrje INOVA, por edhe me vazhdimin e pjesëmarrjes në programet evropiane për shkencë dhe inovacion, si COST.

Janevska përmendi se në periudhën e ardhshme është shumë e rëndësishme të miratohen tre ligje – për arsimin e lartë, për punën kërkimore-shkencore dhe për cilësinë në arsimin e lartë, me çka, përmes akreditimit do të mund të ndihmohen universitetet dhe fakultetet të bëjnë ndryshime të përshtatshme në programet studimore, për përputhje të plotë me BE-në.

Në panel-diskutimin e dedikuar Raportit të Komisionit Evropian për vitin 2026, përveç ministres së arsimit dhe shkencës Vesna Janevska, morën pjesë edhe ministri i punëve të jashtme dhe tregtisë së jashtme Timço Mucunski, zëvendësministri i drejtësisë Alen Dereban dhe zëvendës-ambasadori i Delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup, Ben Nupnau.

Lajme të ngjashme