E shtunë, 7 nëntor 2026MarketingKontakt
Kërko

Tetë policë serbë arrestohen për vdekjen e vëllait të të dyshuarit për vrasjen e vogëlushes Danka Iliq

Tetë anëtarë të policisë serbe janë arrestuar nën dyshimin se me torturë dhe shkaktim të lëndimeve të rënda trupore kanë shkaktuar vdekjen e Dalibor Dragijeviqit, vëllait të njërit prej të dyshuarve për vrasjen e vogëlushes dyvjeçare Danka Iliq. Arrestimet janë kryer me urdhër të Prokurorisë së Lartë Publike në Nish, e cila po heton rastin.

Dragijeviq u ndalua në Drejtorinë e Policisë në Bor gjatë hetimit për zhdukjen e vajzës në mars 2024. Sipas prokurorisë, punonjësit e policisë i shkaktuan lëndime të rënda gjatë marrjes në pyetje, nga të cilat ai vdiq. Policia fillimisht njoftoi se bëhej fjalë për vdekje natyrale, por autopsia tregoi se vdekja kishte ardhur si pasojë e dhunës.

Në mesin e të arrestuarve janë katër anëtarë të Njësisë për Sigurimin e Personave dhe Objekteve të Caktuara, të cilët në kohën e ngjarjes ishin anëtarë të Drejtorisë për Policinë Kriminale, si dhe katër punonjës policie të së njëjtës drejtorinë.

Ata dyshohen për keqpërdorim dhe torturë në natën ndërmjet 6 dhe 7 prillit 2024, në lidhje me shkaktimin e lëndimeve të rënda trupore me pasojë vdekje. Të dyshuarve u është caktuar paraburgim prej 48 orësh, pas së cilës duhet të paraqiten para prokurorisë për intervistim.

Prokuroria e Lartë Publike në Nish njoftoi se gjatë periudhës së kaluar ka lëshuar urdhra për arrestimin e të dyshuarve, por se Sektori për Kontroll të Brendshëm pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme serbe nuk ka vepruar sipas tyre.

Rasti i zhdukjes së Dankës Iliq, e cila u pa për herë të fundit më 26 mars 2024, ende nuk ka zgjidhje gjyqësore. Ministri i atëhershëm i Punëve të Brendshme, Bratislav Gashiç, njoftoi se dy punëtorë të një ndërmarrjeje komunale në Bor dyshohen se e goditën me automjet zyrtar, vendosën trupin e saj në bagazh dhe e hodhën në deponi. Trupi i saj ende nuk është gjetur.

Arrestimi i tetë policëve është pjesë e një serie arrestimesh në Serbi pas zgjedhjeve parlamentare. Të mërkurën u arrestuan nëntë policë aktivë dhe një ish-polic, të dyshuar për përdorim të tepruar të forcës ndaj të ndaluarve gjatë protestave antiqeveritare dhe anti-korrupsionit vitin e kaluar në Beograd.

Më parë ishte arrestuar edhe shefi i Drejtorisë për Policinë Kriminale, Marko Kriçak, i dyshuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe dhunë ndaj aktivistëve studentorë të ndaluar. Kriçak konsiderohej mbështetës i afërt i ish-presidentit serb Aleksandar Vuçiç.

Katër ditë pas fitores zgjedhore të Listës Studentore, kandidatët e saj kërkuan ndryshim të shpejtë të pushtetit, dorëheqje të drejtuesve në polici, shërbimet e inteligjencës dhe drejtësi, si dhe regjistrim urgjent të gjendjes në institucionet publike dhe marrjen e masave për parandalimin e shkatërrimit të dokumentacionit.

Lajme të ngjashme